Kronika Nomos lind në një kohë kur një pjesë e medias shqiptare duket se ka harruar funksionin e saj themelor: të informojë pa frikë, pa varësi dhe pa detyrime ndaj pushtetit, parasë apo interesit të ditës.
Në një klimë ku zhurma shpesh zëvendëson të vërtetën, ku klikimi vlen më shumë se fakti dhe ku afërsia me pushtetin paraqitet si sukses profesional, ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër.
“Kemi zgjedhur parimin.”
Çfarë do të thotë Kronika Nomos
Emri Kronika Nomos vjen nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë Ligj. Rend. Parim. Jo thjesht ligj në kuptimin juridik, por ai rend moral që mban në këmbë një shoqëri të lirë dhe i jep dinjitet fjalës publike. Ky është kuptimi që duam t’i japim kësaj platforme.
Çfarë synojmë
Kronika Nomos nuk synon të jetë thjesht një portal lajmesh. Synon të jetë një tribunë e mendimit të lirë. Një hapësirë ku askush të mos heshtet përmes shantazhit, baltosjes apo presionit. Një vend ku fjala të mos matet me interesin që i shërben, por me të vërtetën që mbron.
Ne nuk besojmë se media duhet të jetë zgjatim i pushtetit apo oligarkisë. Ne besojmë se ajo duhet të jetë kufiri i tyre.
Prandaj Kronika Nomos do të mbrojë këdo që sulmohet padrejtësisht, këdo që përjashtohet nga propaganda e organizuar dhe këdo që kërkon të flasë lirshëm në një realitet gjithnjë e më konformist.
Premtimi ynë
Nuk premtojmë përsosmëri.
Premtojmë pavarësi.
Nuk premtojmë zhurmë.
Premtojmë të vërtetën.
Dhe mbi të gjitha, premtojmë se fjala nuk do të blihet.
Mirësevini në numrin e parë të Kronika Nomos.
Mirësevini në Rendin e Ri të Fjalës.
